Masat e riintegrimit nga institucionet publike

Regjistrimi Civil

Nëse keni nevojë të regjistroni fëmijën tuaj në zyrën e gjendjes civile apo të pajiseni me dokumente të regjistrit civil ju duhet të:

◦ Informoni Zyrtarin Komunal për Komunitete dhe Kthim (ZKKK)
◦ Drejtoheni tek zyrat e regjistrimit civil në komunën tuaj për t’u pajisur me dokumente.

Shërbimet Shëndetësore

Ofrohen nga institucionet publike shëndetësore të nivelit parësor, dytësor dhe tretësor si:

◦ Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunën tuaj;
◦ Spitalet Regjionale;
◦ Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.
Nëse shërbimet e nevojshme mjekësore nuk ofrohen nga këto institucione ju mund të paraqitni kërkesë në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim për:
◦ Kompensimin e shpenzimeve për trajtime mjekësore të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore deri në 12 muaj.
◦ Mbulimin e barnave të cilat nuk janë në listën esenciale të barnave deri në 12 muaj.

Akomodimi

Nëse jetoni në kushte të vështira socio-ekonomike dhe plotësoni kriteret e përcaktuara me Rregulloren për Riintegrim ju mund të përfitoni:
◦ mbulimin e qerasë për një periudhë deri në 12 muaj;
◦ renovim ose rindërtim të vendbanimit pjesërisht ose plotësisht të shkatërruar;
◦ sigurimin e orendive shtëpiake;

Shkollimi i fëmijëve

Fëmijët tuaj mund të vazhdojnë menjëherë shkollimin në Kosovë.

Informoni Zyrtarin Komunal për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) që fëmijët tuaj kanë nevojë për qasje në arsim

ZKKK do t’ju referojë në Drejtorinë Komunale të Arsimit për të regjistruar fëmijën tuaj në afatin më të shkurtër të mundshëm.

Për nevojat e fëmijëve shkollat ofrojnë:

◦ Kurse të gjuhës dhe mësim plotësues për fëmijët e riatdhesuar që kanë nevojë për ndihmë për t’u integruar në sistemin edukativo-arsimor;
◦ Vlerësim të njohurive të nxënësit, nëse u mungon dokumentacioni shkollor; 
◦ Konsultime me pedagogun apo psikologun e shkollës.

Punësimi dhe Trajnimi

Zyrtari Komunal për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) do të ju referojë në Zyrën e Punësimit në komunën tuaj për:

◦ Mundësitë e punësimit;
◦ Mundësitë e aftësimit profesional, trajnim në punë, subvencionim në punësim.
◦ Mundësitë për vetëpunësim dhe promovim të ndërmarrësisë (grante).

Mbrojtja Sociale

Nëse jeni në gjendje të rëndë socio-ekonomike, Qendra për Punë Sociale në komunën tuaj bën vlerësimin e nevojave të familjes për të vendosur nëse mund të përfitoni nga skemat dhe shërbimet sociale.

Asistenca emergjente sigurohet nga Departamenti për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve (DRPRIH) menjëherë pas kthimit të personit (familjes) të riatdhesuar, bazuar në vlerësimin individual të nevojave.

Pas vlerësimit të nevojave, menjëherë pas kthimit, personat e riatdhesuar mund të përfitojnë një pako 3-mujore (ushqimore, higjienike dhe materiale) dhe pakon dru zjarri për sezonën dimërore.

E drejta e ankesës:

Nëse ju është refuzuar kërkesa për përfitim, ju keni të drejtë ankese në Komisionin për Ankesa.
Ankesën tuaj e dorëzoni në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim (ZKKK) në komunën tuaj.