Të huajt informohen nga Departamenti për Riintegrim dhe Integrim lidhur me të drejtat dhe obligimet e tyre. Informatat sigurohen në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhën që konsiderohet që e kupton i huaji. Informatat themelore u ofrohen të huajve, menjëherë pas marrjes së statusit të ligjshëm në Kosovë. Të drejtat dhe obligimet e të huajve janë të shpjeguara në broshurë në disa gjuhë. Zgjidhni gjuhën përkatëse për të kuptuar më shumë: shqip, serbisht, anglisht, frengjisht, turqisht, arabisht, persisht, ukranisht.
Komunat informojnë dhe këshillojnë të huajt në proces të integrimit për ofrimin e shërbimeve publike komunale: akomodim, arsim, mbrojtje sociale, kujdes shëndetësor, aftësim profesional, punësim, ndihmë juridike falas, qasje në drejtësi.
Personi me status refugjati, personi me status të mbrojtjes plotësuese apo personi me mbrojtje te përkoshme do t’i sigurohet strehimi elementar deri në dy (2) vite, që nga data e marrjes së vendimit për njohje të statusit.
Të gjithë fëmijët e huaj dhe fëmijët pa shtetësi kanë të drejta të barabarta për shkollim në institucionet edukativo-arsimore në pajtim me aftësitë dhe nevojat e tyre specifike, për të avancuar zhvillimin arsimor e social. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, bën barasvlerën dhe njohjen e dokumenteve. Nxënësit e huaj që nuk posedojnë dokumente përkatëse sistemohen nga shkolla në klasa të rregullta me bashkëmoshatarët e tyre me qëllim të ambientimit, socializmit dhe integrimit të tyre në sistemin e rregullt mësimor.
Të huajt kanë të drejtë në shërbime sociale dhe ndihmë sociale sikurse shtetasit e Republikës së Kosovës.
Shërbimet shëndetësore janë të garantuara për të gjithë të huajt që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë. Personat të cilët kanë qenë objekt i torturës, përdhunimit apo akteve të tjera të rënda të dhunës, do të marrin trajtimin e duhur për dëmin e shkaktuar nga akte të tilla, në veçanti mundësinë për të pasur trajtimin apo kujdesin e duhur mjekësor, psikologjik.
Të huajt informohen nga Departamenti për Riintegrim dhe Integrim për kushtet dhe mundësinë e punësimit dhe përkrahjes përmes masave aktive të tregut të punës, dhe udhëzohen të regjistrohen në Zyrat e Punësimit si punëkërkues. Të huajt në proces të integrimit, të cilët kanë nevojë për përgatitje profesionale me qëllim të aftësimit për tregun e punës kanë qasje në trajnimet profesionale të cilat ofrohen nga Qendrat e Aftësimit Profesional apo nga ofruesit tjerë të shërbimeve të aftësimit profesional. Për informata shtesë ju lutem shikoni Udhëzuesin për Qasjen e të Huajve në Aftësim Profesional dhe Punësim.
Të huajve që i takojnë kategorisë përfituese iu sigurohet mundësia e procedimit të rastit në prokurori dhe gjykata si dhe e drejta për një gjykim të rregullt dhe brenda një kohe të arsyeshme. Kategoritë përfituese të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare gëzojnë të drejtën në ndihmë juridike falas.
Të huajt kanë të drejtë t’i qasen shërbimit të gjendjes civile. Zyrat e gjendjes civile bëjnë regjistrimin/evidentimin e menjëhershëm të fëmijës të huaj të posalindur në mënyrë që të realizohet e drejta e tyre për emrin personal, e drejta për fitimin e shtetësisë përmes natyralizimit dhe e drejta për të ditur dhe për të qenë nën kujdesin e prindërve të tij apo saj.
Masat specifike të integrimit përfshijnë:
◦ vlerësimin e nevojave, i cili bëhet me qëllim për të vlerësuar nevojat e të huajve për integrim dhe pritshmërinë e tyre, si masë e lehtësimit të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.
◦ kurset e gjuhës, të cilat organizohen në ndonjërën nga gjuhët zyrtare, në nivelin A1 apo A2 të Kornizës të Përbashkët Evropiane për Gjuhë.
◦ kurset për integrim, ku bëjnë pjesë kurset për njohuritë e përgjithshme për vendin, njohuritë praktike për sistemin e arsimit, punësimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, strehimit si dhe njohuritë për grupet dhe organizatat përkrahëse dhe aktivitetet tjera gjatë kohës së lirë,
◦ akomodimin, ku përfshihet strehimi elementar deri në dy (2) vite, që nga data e marrjes së
vendimit për njohje të statusit.